U zhvillua mbledhja e parë konstitutive e Këshillit Drejtues të Akademisë së Pushtetit Vendor, me pjesëmarrjen e Ministrit Ervin Demo, Kryetarit të Qarkut Tiranë dhe Shoqatës së Këshillave të Qarqeve, z. Aldrin Dalipi, si dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues, duke shënuar nisjen zyrtare të funksionimit të kësaj strukture të re me rëndësi strategjike për qeverisjen vendore.
Akademia e Pushtetit Vendor synon të trajnojë mbi 35 mijë punonjës të bashkive dhe qarqeve në të gjithë vendin përgjatë katër viteve të ardhshme, përmes programeve të ndryshme formimi profesional. Objektivi kryesor është rritja e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve, përmirësimi i kapaciteteve institucionale dhe përgatitja e administratës vendore për zbatimin e standardeve evropiane, në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Një fokus i veçantë do t’i kushtohet gjithashtu aftësimit të strukturave vendore për përthithjen dhe menaxhimin e fondeve të Bashkimit Evropian dhe të projekteve të partnerëve evropianë, si pjesë e politikave të kohezionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.










