U zhvillua online mbledhja e Këshilli Konsultativ Qeveri Qendrore–Vetëqeverisje Vendore, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve qendrore dhe të vetëqeverisjes vendore.
Fjalën e hapjes e mbajtën bashkëkryetarët e Këshillit, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, dhe Kryetari i Shoqatës së Këshillave të Qarqeve, Aldrin Dalipi.
Në rendin e ditës u diskutuan një sërë projektvendimesh dhe projektligjesh me rëndësi kombëtare, përfshirë krijimin e fondit të gjelbër për zhvillimin e territorit dhe hapësirave publike, grumbullimin e diferencuar të mbetjeve, krijimin e shoqërisë shtetërore të pyjeve, si dhe ngritjen e bazës kombëtare të të dhënave të strehimit social.
Gjithashtu, u trajtuan ndryshime në legjislacionin për privatizimin e banesave, ligjin për prefektin e qarkut, rregullat për lejet dhe pushimet me apo pa pagesë, si dhe standardet për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin.
Në fokus ishte edhe përfshirja sociale, me projektligjin për aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara, planet kombëtare të veprimit 2026–2030 për këtë kategori, si dhe për barazinë dhe përfshirjen e komuniteteve rome dhe egjiptiane.
Në sektorin e turizmit dhe kulturës u diskutua edhe projektudhëzimi për aktivitetet tregtare në zonat me vlerë historike, kulturore dhe arkeologjike.
Mbledhja u përmbyll me diskutime dhe vlerësime mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të reformave strategjike dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

