U zhvillua sot mbledhja e fundit për vitin 2021 i Këshillit Konsultativ Qeveri Qendrore – Vetëqeverisje Vendore, në formatin hibrid në ambientet e Ministrisë së Brendshme dhe nëpërmjet platformës online ZOOM.

Mbledhja e Këshillit Konsultativ u organizua nga Agjensia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, mbështetur nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë me asistencën e projektit "Asistencë Teknike për Këshillin Konsultativ" zbatuar nga Instituti i Kërkimeve Urbane (URI).

Kjo mbledhje e fundit u drejtua nga bashkëkryetarët e Këshillit Konsultativ, Z.Aldrin Dalipi, Kryetari i Qarkut Tiranë dhe Znj.Romina Kuko, Zëvendësministre e Ministrisë së Brëndshme.

Më shumë se 50 projektvendime dhe projektligje janë konsultuar midis dy niveleve të qeverisjes duke reflektuar komente e propozime nga Bashkitë dhe Shoqatat Vendore që i përfaqësojnë në Këshillin Konsultativ.

Në vitin 2021, janë zhvilluar takime të frytshme dhe konsultuar akte të rëndësishme duke rritur pjesëmarrjen dhe angazhimin e përfaqësuesëve vendorë në vendimmarrjen qendrore.

Z.Dalipi e vlerësoi një përvojë të shkëlqyer punën e bërë gjatë këtij viti në Këshillin Konsultativ. "Të gjithë kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për të çuar përpara aktet që janë paraqitur, për të dëgjuar zërin e qeverisjes vendore dhe për të bërë më të mirën për qytetarët."

Ai falenderoi të gjithë anëtarët e Këshillit Konsultativ, Kryetarët e Bashkive, Shoqatën për Autonomi Vendore me përfaqësuese Znj.Adelina Farrici dhe Shoqatën e Bashkive me përfaqësues Z.Agron Haxhimali, Zv.Ministrat e linjës, donatorët dhe organizatat e shoqërisë civile për përkushtimin dhe punën e tyre të vazhdueshme.

Lista e projekt-akteve dhe raporteve të diskutuara në Këshillin Konsultativ ishin:

– Raporti Vjetor i Këshillit Konsultativ

– Konfirmim i projektligjit të Policisë Bashkiake

– Projektvendimi "Për miratimin e metodologjisë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme "Ndërtesa"

– Udhëzimi "Për miratimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimit mesatar të shitjes së banesave në treg"

– Raporti i Përputhshmërisë së vitit 2020

– Raporti "Monitorimi i dokumentit të politikave strategjike dhe planit kombëtar për menaxhimin e   integruar të mbetjeve 2020-2035

– Raporti "Karta Evropiane për barazi të grave dhe burrave në jetën vendore dhe zbatimi në Shqipëri nga bashkitë nënshkruese

– Raporti "Sfidat e Bashkive të Vogla në Raport me Agjendën Decentralizuese"

– Raporti "Vlerësimi i Metodologjisë së Kapitalit Natyror të Bashkisë

– Raporti "Performanca e bashkive në zbatim të buxhetit për vitin 2020"