Presidenti i Eurorajonit Adriatiko-Jonian dhe Kryetari i Qarkut Tiranë, Aldrin Dalipi, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Programi Interreg Euro-MED, e zhvilluar më 18 qershor në Bolonjë, me fokus zhvillimin e qëndrueshëm në rajonin euro-mesdhetar.
Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve evropiane, rajoneve dhe organizatave partnere për të diskutuar mbi mundësitë dhe rolin e aktorëve rajonalë në forcimin e kohezionit ekonomik, përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër dhe promovimin e një zhvillimi më gjithëpërfshirës në Mesdhe.
Gjatë panelit të diskutimit, Dalipi ndau vizionin e tij mbi sfidat me të cilat përballet rajoni, duke vënë theks të veçantë te rëndësia e përfshirjes së të rinjve në hartimin e politikave publike dhe proceset vendimmarrëse. Ai nënvizoi se investimi te brezi i ri, nxitja e inovacionit dhe krijimi i mundësive për bashkëpunim ndërkombëtar janë faktorë kyç për ndërtimin e një rajoni më konkurrues, më të qëndrueshëm dhe më solidar.
Programi përfshiu sesione plenare, panele diskutimi dhe një workshop bashkëkrijues, rezultatet e të cilit do të kontribuojnë në hartimin e dokumentit të politikave të Misionit ISE.
Konferenca shërbeu gjithashtu si një platformë për forcimin e rrjeteve të bashkëpunimit ndërmjet rajoneve dhe aktorëve të Euro-Mesdheut, me synimin për të përballuar së bashku sfidat e përbashkëta dhe për të ndërtuar një Mesdhe më inteligjent, më të gjelbër dhe më të drejtë.








