Në kuadër të Ditëve të Europës, Tirana mirëpriti takimin e rrjetit të përfaqësuesve territorialë të rajoneve të Europës, me pjesëmarrjen e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, zëvendësministrit Xhemal Qefalia, Nënkryetares së Kuvendit, Klodiana Spahiu, si dhe përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe rajonale.
Takimi shërbeu si një platformë e rëndësishme dialogu dhe bashkëpunimi ndërinstitucional, ku u shkëmbyen përvoja dhe praktika më të mira europiane, përfshirë edhe në kuadër të Adriatic Ionian Euroregion.
Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e qeverisjes vendore dhe rajonale në zhvillimin e qëndrueshëm të territoreve, rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Kreu i Qarkut Tiranë, Aldrin Dalipi, vlerësoi se pushteti vendor mbetet partner kyç në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit europian, duke luajtur një rol të rëndësishëm në zbatimin e politikave të kohezionit dhe zhvillimit rajonal.










